fbpx
E mërkurë , Tetor 16 2019
Kryefaqja / Turizëm / Mes bukurive mahnitëse të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë

Mes bukurive mahnitëse të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë

Në listën e parqeve të shumta natyrorë të vendit, Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë afër qytetit të Librazhdit ende nuk është mjaftueshëm i njohur. Një nga shkaqet kryesore lidhet me faktin se ky park ka qenë një zonë e ndaluar kufitare përgjatë gjysëm shekulli të diktaturës komuniste. Ishte pikërisht kjo mbyllje, që sot përbën dhe një nga asetet më të mëdha të tij, pasi rreth 34 mijë ha sipërfaqe plot me pyje, livadhe e lule shumëngjyrëshe, janë tejet të paprekura e mund të shijohen nga kushdo.

Çfarë gjen në këtë park?

Shebenik-Jabllanica shtrihet në pjesën lindore të rajonit të Librazhdit dhe përfshin malet me të njëjtin emër kufizues me Maqedoninë. Parku ka shtrirje më të madhe se 40 km, në veri nga fshati Steblevë deri në jug në fshatin Rrajcë, duke mbuluar një sipërfaqe prej 33.929 ha. Malet e Parkut Shebenik – Jabllanicë dominohen nga thepisjet e theksuara dhe variojnë me lartësi nga 300 m deri në 2.262 (Maja Rreshpes-Shebenik).

Shebeniku | Foto: Web

Popullsi

Në territorin e parkut përfshihen gjashtë Komuna: Stebleva, Luniku, Qendra, Hotolishti, Qukësi dhe Rrajca, gjithsej 12 fshatra si Borovë, Steblevë, Llangë, Zgosht, Letem, Kosharisht, Qarrishtë, Gizavesh, Dorëz, Skroskë (Peshtan), Rrajcë-Skenderbej dhe Rrajcë-Bardhaj. Por ndikimi parkut shtrihet më gjerë edhe në fshatrat Lunik, Librazhd Katund, Dragostunjë, Hotolisht, Buzgarë, Vulçan, Vehçan,  Qukës-Shkumbin, Rrajcë Sutaj etj.

toka e beses
Shebenik

Ujëra

Brenda parkut gjenden mbi 14 liqene akullnajore të vegjël me bukuri madhështore, të cilët ndodhen në një lartësi mbi 1900 metra mbi nivelin e detit. Janë gjithashtu dy lumenj që rrjedhin përmes zonës së Parkut me një gjatësi prej 22 km, përfshirë në veri lumin e Qarrishtës që bashkohet me lumin Rrapun dhe në jug lumin e Bushtricës qe bashkohet me lumin Shkumbin.

Klima

Klima në shumicën e parkut bie në kategorinë e klimës mesdhetare, me temperatura mesatare vjetore ndërmjet 7 ° C dhe 10 ° C. Reshjet mesatare vjetore janë midis 1.300 mm dhe 1.800 mm.

Fushë – Studën | Foto: Web

Flora

Parku ka drurë ahu, pishë e zezë, bredh, lis, mështekna, arneni, bush, ajdes, panjë, shelg, lajthi, shkozë, mëllezë, vidh, vodhëz të egër, qershi të egër, boronicë, gorricë, dardha të egër, trëndafil të egër, çaji i mali, sanza dhe më i rralli, endemiku ylli i alpeve.

Fauna

Speciet kryesore të faunës janë: ariu i murrmë, ujku, vjedulla, dhelpra, ketri, nusja e lalës, shqiponja, skifteri. Më të rrallë janë: zardafi, derri i egër, kaprolli, dhia e egër, rrëqebulli, gjeli i egër, trofta e malit.

Veprimtari  kulturore e sportive

Në këtë zonë, komuniteti organizon mjaft aktivitete social-kulturore tradicionale, të cilat janë e vetmja frymëmarrje e këtij komuniteti. Festat kryesore që zhvillohen në këtë zonë janë: Festa“Dorëz”, festë mjaft e madhe, me aktivitete kulturore tradicionale në terren natyror. Po ashtu, festa e Shëngjergjit në Stëblevë, e Qarrishtës, e Rrajces, e Lunikut, etj.

Foto: Web

Parku, kaq pranë dhe kaq larg!

Ndër parqet kombëtaret shqiptare, Parku Shebenik-Jabllanicë njihet si një nga më të mëdhenjtë, më të bukurit dhe më mbresëlënësit në vend. Ky park, gati i virgjër, ka një inventar të pasur të të gjitha llojeve të drurëve dhe shkurreve pyjore, bimë barishtore dhe lule të rralla; një faun të pasur me llojë-lloj kafshësh e shpendësh të egra; ka maja, sheshe alpinë, liqene, burime të ftohtë dhe plot çudira të tjera për marshime, ekskursione, veprimtari sportive, mundësi për aktivitete shkencore etj.

Të gjitha këto që thamë më sipër përbëjnë potenciale të larta eko-turistike, por që fatkeqësisht deri më sot janë shfrytëzuar pak ose aspak, për shkak të politikave dhe interesave të të çastit, indiferente, që gjoja luftojnë për “bukën e gojës” dhe turizmin e quajnë një luks që ende nuk i ka ardhur koha!… Është kjo arsyeja që bukuritë e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë nuk njihen, por edhe nuk janë promovuar aq sa duhet.

E, megjithatë, në mënyrë natyrore dhe spontane, vitet e fundit parku ka marrë jetë në zhvillimin e turizmit malor. Në të po vijnë për herë e më shumë njerëz dhe po shihet një interes jo i vogël, por krahasuar me zonat simotra të Alpeve të Veriut, ende ka nevojë për investime në infrastrukturë, sinjalistikë, informim dhe ndërgjegjësim të banorëve, së pari, për ruajtjen e potencialeve natyrore, e më pas në zhvillimin e metodës së duhur të komunikimit dhe shërbimit tek vizitorët. Të gjitha këto krijojnë mundësi për t’i dhënë jetë formave ekzistuese juvenile të ekoturizmit, gjithashtu edhe formave të reja të tij.

Turizmi në këtë zonë akoma është në fazat e para të zhvillimit. Vizitorët janë të pakët dhe të vetëorganizuar. Kjo kur zona e parkut, përveç vlerave turistike ka edhe pasuri kulturore e tradita të hershme. Ka mjaft monumente natyrore të shpallura apo jo, që mund të vizitohen nga turistët, studiuesit, etj. Përmendin psh, Fshatin Llangë me shtëpi karakteristike me mure guri, trekatëshe, shumëvjeçare; Kishën e Koshorishtit, ndërtuar në një shpellë në shek. II para erës sonë; liqenet karstike Shebenik, liqenin e Fushë Studnes, Vlaskën, Fushën e Dorëzit, Bredhin e Fushë Kuqes, Rrapin e Taksimit, Shkallën e Skënderbeut, Gurrën e Ariut, e shume të tjera.

Për të lexuar më shumë dhe për të njohur më shumë zonën (kliko këtu)

Shiko gjithashtu

“Shpella e Akullit” në Letëm tërheq vizitorët e fundjavës

Shpella e Akullit ndodhet në Fushën e Letmit në Parkun Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë”, në rrethin Librazhd. …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.