Në raportet më të fundit të organizmave ndërkombëtare thuhet, se më të varfrit e botës kanë më pak se 1 dollarë në ditë për frymë. Pak a shumë në të njëjtat kushte janë edhe fshatarët e Lulnikut në Librazhd. Këtu banojnë 8 mijë vetë, 70% e tyre trajtohet me përkrahje sociale, sepse toka e tyre është joprodhuese.
Ata që nuk kanë mundësi të shkojnë në emigracion, presin pas kësaj zyre ku jepet përkrahja sociale. Në përgjithësi familjet janë të mëdha me nga 10-15 anëtarë. Përkrahja sociale varjon nga 150 lekë në muaj deri në 3000 lekë. Fshatarët ankohen se kjo shumë nuk është e mjaftueshme.
E vetmja rrugëzgjidhje që u ofron shteti këtyre njerëzve është të braktisin vendlindjen. Prej kohësh në këtë zonë të varfër nuk ka asnjë investim në bujqësi, në veterinari, madje as në shëndetësi.