Fetije Carja nga fshati Gizavesh i Librazhdit ka lindur më 2 korrik të 1919. Tani që ka hyrë në vitin 101 të jetës, ajo thotë se puna e ka mbajtur gjallë. Gjatë gjithë jetës së saj nuk i ka bërë naze asnjë lloj ushqimi.

Në një intervistë të publikuar nga Deutsche Welle ajo shprehet:

“Mirë ka qenë më para, mirë. Do shkoje me bagëti, të gjitha do i bëje punët. Jo si tani, rri në vend kot. Çfarë hanim më para… Bukë, fasule, gjizë, ato hanim më para. Nuk hanim si tani, gjëllë pas gjelle.”

Por, përgjatë një shekulli kanë ndryshuar shumë gjëra, edhe traditat – sipas saj:

“Martesat si duken tani… Më para i merrnim me kalë dhe me farefis. E hipnim nusen në kalë dhe e çoje te burri, bie llafi. Tani, ç’do pëlqesh tani? E merr burrin dhe se ç’kam marrë, po se si del ai burri… Si del, se e merr, po si del? Vallahi unë prej burrit nuk kam pse të qahem. Kam pas shkuar shumë me të, shkruan librazhdinews.al.”

Edhe pse 101 vjeçe ajo nuk e harron të shkuarën. As kur strehoi në fshatin e lindjes dy italianë në kohë trazirash.

“Ne flisnim shqip, ata e kthenin në italisht. Italisht thoshin: Buono, buono… troppo buono. Të parin e quanin Kalo, të dytin Lino. Ata punuan një kohë dhe ikën, po ndenjën disa kohë. Ishin të mirë italianët. Na vinte keq ne kur ikën. Thoshim ne: Ah ç’na ikën ata ne… S’merrem me gjë më tani unë, vetëm rri. Nuk kam takat të bëj punë dhe vij rrumbullak.”

Meremja është bashkëshortja e djalit të Fetijes. Ajo ka jetuar me të prej 40 vitesh. Dhe çdo ditë i përgatit kafen për ta pirë së bashku, shkruan librazhdinews.al.

Teksa flet për DW, ajo tregon:

“Ajo mbante fëmijët unë punoja, ikja dhe vija, fëmijët i mbante ajo dhe gatuante. E gjeja drekën gati. Nuk më ka ngatërruar asnjëherë me burrin, me njeri jo. Ka qenë plakë e urtë, plakë e mirë, pa llafe. Një nënë me katër djem dhe një gocë, shumë e mirë. Shumë e përkushtueshme për fëmijët e vet, për komshinjtë – është sjellë shumë mirë. Plakë më të mirë nuk ka, për mua, si nuse që jetoj me të. Për të tjerat, nuk e di se çfarë thonë.”

Sa i përket jetëgjatësisë së 101-vjeçares, duket se meritë ka edhe trashëgimia. Në 2002 nëna e Fetijes pushtoi mediat vendase si shqiptarja më e moshuar në botë. Nëna e saj Qerime Bardhi, jetoi në tre shekuj, pasi lindi në 1885 dhe vdiq në vitin 2002, në moshën 117-vjeçare.

Më poshtë video e publikuar nga Deutsche Welle: