Lëvizja Vetëvendosje merr shumicën e votave në zgjedhjet e 14 Shkurtit. Ajo ka fituar 48.17 përqind të votave, vota këto që llogariten si një mbështetje morale më e madhe që ka marrë një parti ndonjëherë në Kosovë. Vetëvendosja duke kundërshtuar gjithçka, fillimisht në rrugë, pastaj në Kuvend, mbyll kështu epokën e rebelimit.

LDK-ja nga ana tjetër ka pësuar humbjen më të thellë në këto zgjedhje, duke rënë në 13 përqind. Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor, pa votat me postë dhe pa votat me kusht, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka fituar rreth 48% të votave, duke shënuar fitoren më të thellë. Këto rezultate përfshijnë 97 përqind të votave të përgjithshme që janë numëruar deri në këto momente dhe nuk përfshin votat me kusht dhe votat e ardhura me postë nga jashtë.

LDK-ja është mposhtur për herë të parë në bastionin e saj, Istogun e Ibrahim Rugovës. LVV-ja e ka fituar bindshëm edhe kryeqytetin, të cilin LDK-ja e ka udhëhequr në disa mandate. Tani LVV ka mbi 60 përqind, ndërsa LDK-ja 23 përqind.

PDK-ja është partia e dytë me 17.35 përqind të votave, ndërsa Drenica nuk e ka ndërruar atë. Partia e Hashim Thaçit e Kadri Veselit, tani në duart e Enver Hoxhajt, kryeson në Skenderaj dhe Drenas. LDK renditet e treta, me 13 përqind të votave të përgjithshme. Ky është rezultati i saj më i dobët ndonjëherë, dyfish më i ulët se në zgjedhjet e para një viti e gjysmë.

Basha: I lumtur të bashkëpunoj me qeverinë e re të Kosovës

I pari që ka uruar liderin e Vetëvendosjes, Alib Kurtin dhe Vjosa Osmanin për fitoren e zgjedhjeve në politikën shqiptare ka qenë Lulzim Basha. Kreu i demokratëve përmes një postimi në rrjetet sociale tha se është i bindur që partia fituese e zgjedhjeve, por edhe ato të tjera do të mund të adresojnë dhe të zgjidhin sa më mirë sfidat me të cilat përballet Kosova.

“Urime VV, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për fitoren e zgjedhjeve. Kosova ka sfida të mëdha përpara. Jam i bindur se partia fituese e zgjedhjeve dhe partitë e tjera do të arrijnë ti adresojnë dhe zgjidhin ato në të mirë të qytetarëve të Kosovës”, tha Kurti.

Më tej, kryedemokrati thotë se do të jetë i lumtur të bashkëpunojë ngushtësisht me qeverinë e re të Kosovës.

“Do të jem i lumtur të bashkëpunoj ngushtësisht me qeverinë e re të Kosovës, si sa i përket proceseve të integrimit euroatlantik dhe vijimit të njohjeve ndërkombëtare, ashtu dhe për zhvillimin ekonomik të të dy vendeve tona. Përgëzime nga zemra qytetarëve të Kosovës, institucioneve dhe partive politike për një proces zgjedhor shembullor me standarde europiane, model demokracie për mbarë rajonin”.

Balla uron Kurtin për fitoren: Jemi motër e vëlla, mësojmë nga njëri-tjetri

Kryetari i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka uruar Albin Kurtin për fitoren e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë. Ai përgëzoi popullin kosovar për pjesëmarrjen në zgjedhje të cilën e konsideroi të jashtëzakonshme pavarësisht pandemisë dhe motit ekstrem.

“Përgëzoj popullin e Kosovës për një pjesëmarrjes së jashtëzakonshme në kushtet e pandemisë dhe kushtet e motit ekstrem. Kemi diskutuar mbi zgjedhjet në Kosovë dhe siç e thashë konstatojmë me kënaqësi që këto zgjedhje vajtën shumë mirë dhe gjej rastin të përgëzoj të gjitha partitë politike për frymën dhe standardin. Por padyshim dua ta uroj me gjithë zemër Vetëvendosjen dhe mikun tonë Albin Kurti për fitoren e këtyre zgjedhjeve. Mezi presim të votojmë me qeverinë e re, parlamentin e ri në funksion të integrimit”, tha Balla.

E teksa pa përfunduar mirë numërimi të gjitha partitë politike në Kosovë pranuan humbjen dhe Balla shtoi se kjo duhet marrë shembull nga partitë politike në Shqipëri.

“Ne jemi motër e vëlla dhe sigurisht marrim nga njëri tjetri mësime, eksperienca. Ajo që për mua është e rëndësishme është që tashmë të gjitha partitë politike duhet të pranojnë rezultatin. Uroj që edhe në Shqipëri pas 25 Prillit çdo parti politike të pranojë rezultatin. Ata që humbin zgjedhjet duhet të kuptojnë që nuk është faji i popullit, por i atyre që humbin zgjedhjet”, tha Balla.